,

Kallëzim në SPAK për dhunën policore, kërkohet hetimi i Ramës

6 min lexim
Kallëzim në SPAK për dhunën policore, kërkohet hetimi i Ramës

Goditjet ndaj protestuesve, arrestimet e denoncuara si arbitrare dhe pamjet e efektivëve me fytyra të mbuluara janë ndër rastet më flagrante të dokumentuara nga gazetarë dhe qytetarë gjatë protestave të zhvilluara nga 13 tetori në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Qendra Res Publica, së bashku me organizata të shoqërisë civile, avokatë, studentë dhe qytetarë, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke kërkuar hetimin e më shumë se 180 rasteve të dyshuara si të paligjshme.

Kallëzimi kërkon të verifikohet nëse bëhet fjalë për veprime individuale të punonjësve të policisë apo për një praktikë të organizuar, të urdhëruar ose të toleruar nga drejtuesit.

Në hetim kërkohet të përfshihen drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, si dhe drejtues të tjerë policorë. Po ashtu, kërkohet të verifikohet roli i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për komunikimet, udhëzimet dhe vendimmarrjet që mund të kenë lidhje me ndërhyrjet e denoncuara.

Kallëzimi kërkon të administrohen edhe vendimet e Këshillit të Ministrave të 19 dhe 21 tetorit për shpërblimin e punonjësve të policisë me nga 269.120 lekë. Sipas dokumentit, numri i përfituesve u rrit nga 2.750 në 2.821. Kallëzuesit kërkojnë shqyrtimin e listave të përfituesve, kritereve dhe dokumentacionit shoqërues për të verifikuar nëse këto vendimmarrje kanë lidhje me rastet e denoncuara.

Sipas kallëzuesve, rastet përfshijnë përdorim të dyshuar të paligjshëm ose joproporcional të forcës, përdorim të gazit lotsjellës dhe predhave kinetike, shoqërime e arrestime arbitrare, trajtim degradues të personave të ndaluar dhe pengim të gazetarëve e qytetarëve që dokumentonin ndërhyrjet policore.

Efektivët pa shenja identifikimi, kërkohet verifikimi i zinxhirit komandues

Në ditën e pestë të protestave studentore, pas disa tentativave, studentët dhe qytetarët hodhën gurë drejt selisë së Partisë Socialiste duke thyer disa prej xhamave të saj. Por gazetarët dokumentuan dhjetëra persona të maskuar që dolën nga selia e PS-së, pa shenja identifikuese që të tregonin nëse ishin punonjës policie, të cilët dolën me shkopinj në duar dhe iu drejtuan protestuesve, duke i kërcënuar dhe dhunuar.

Pikërisht ky është një nga shqetësimet kryesore të kallëzimit, ku “efektivët” me maska, kapuça dhe skafandra, pa shenja të dukshme individuale identifikimi, dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

“Dislokimi i përsëritur i efektivëve me fytyra të mbuluara, me maska, kapuça dhe skafandra, pa shenja individuale identifikimi të dukshme, të cilët kanë kryer veprime të dhunshme, ose përdorur armë kinetike, në rrethana kur viktimat dhe dëshmitarët e kanë praktikisht të pamundur të identifikojnë autorin e një veprimi të paligjshëm”, thuhet në kallëzim.

Dokumenti nuk pretendon se mbulimi i fytyrës është në vetvete i paligjshëm, por kërkon të verifikohet nëse efektivët kanë qenë të identifikueshëm nga organet hetimore dhe nëse janë ruajtur regjistrat e personelit, urdhrat operacionalë dhe të dhënat që mundësojnë përcaktimin e përgjegjësive.

Sipas kallëzuesve, deklarata duhet të shqyrtohet në raport me mbrojtjen që u garantohet pjesëmarrësve paqësorë në protesta, edhe kur persona të tjerë përfshihen në akte dhune. SPAK-ut i kërkohet të verifikojë nëse përtej deklarimeve publike, ka pasur udhëzime ose vendimmarrje konkrete me rëndësi për hetimin.

Dhunë, arrestime dhe pengim i gazetarëve

Kallëzimi përfshin më shumë se 180 raste të dyshuara gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 21 tetor 2026, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Pogradec, Vlorë dhe qytete të tjera.

Sipas dokumentit 29-faqësh, provat përfshijnë pamje filmike, dëshmi, denoncime publike dhe raporte institucionale. Disa prej shqetësimeve, sipas kallëzuesve, janë evidentuar edhe nga Avokati i Popullit dhe organizata që kanë monitoruar protestat.

‘Katalogu’ i episodeve për protestat e tetorit 2026 dokumenton rreth 180 raste të pretenduara të shkeljeve, abuzimeve dhe përdorimit të dhunës nga Policia e Shtetit. Pjesa dërrmuese lidhet me dhunën fizike ndaj personave të neutralizuar, përdorimin e predhave kinetike dhe pengimin e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.

Rastet e denoncuara përfshijnë përdorim të dyshuar joproporcional të forcës ndaj protestuesve, përdorim të predhave kinetike dhe gazit lotsjellës, arrestime arbitrare, cenim të integritetit fizik e psikologjik, shkelje të mundshme ndaj të miturve, mosdhënie të ndihmës mjekësore dhe trajtim degradues të personave të ndaluar.

Në dokument përmenden edhe raste të pretenduara të trajtimit çnjerëzor ose degradues, mes tyre lidhja e një studenti pas kangjellave të Ministrisë së Arsimit dhe mbajtja e personave me pranga në kushte spitalore.

Një pjesë e kallëzimit i kushtohet përdorimit të predhave kinetike, të njohura si plumba gome, të cilat dyshohet se janë qëlluar edhe drejt pjesës së sipërme të trupit. Kjo pretendohet se dokumentohet përmes fotografive dhe videove ku protestuesit shfaqen të plagosur në sy, gojë, qafë dhe pjesë të tjera të sipërme të trupit.

“Hetimin e episodeve të përdorimit të predhave kinetike për verifikimin e elementeve të “Vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë, sipas nenit 76 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, duke përcaktuar formën e fajit dhe duke shqyrtuar shprehimisht argumentin mbi lejimin me ndërgjegje të pasojës vdekjeprurëse, si dhe hetimin e ekzistencës së mundshme të një grupi të strukturuar kriminal, sipas neneve 28/4 dhe 333/a, ku pandëshkueshmëria e autorëve të dhunës mund të jetë synuar si përfitim jomaterial dhe pengimi i tubimeve si qëllim më i gjerë i veprimtarisë.”, thuhet në kallëzim.

SPAK-ut i kërkohet të sigurojë armët, municionet, predhat dhe gëzhojat përkatëse, si dhe të kryejë ekspertime për të përcaktuar llojin e municionit dhe mënyrën e përdorimit të tij.

Kallëzimi ngre gjithashtu shqetësime për pengimin e gazetarëve dhe qytetarëve që filmonin ndërhyrjet policore. Sipas dokumentit, janë raportuar largime nga vendngjarjet, kufizime të filmimit, ndërhyrje fizike dhe raste të pretenduara të marrjes së pajisjeve elektronike ose fshirjes së regjistrimeve.

Këto veprime, mund të kenë cenuar jo vetëm të drejtën për të dokumentuar ngjarjet, por edhe ruajtjen e provave për rastet e denoncuara. Për këtë arsye, kërkohet të verifikohet nëse kufizimet kanë qenë vendime individuale apo kanë ardhur si pasojë e udhëzimeve të përbashkëta.

Shtrirja e rasteve në disa qytete dhe ngjashmëritë e pretenduara mes ndërhyrjeve janë arsye, sipas kallëzuesve, për të hetuar nëse bëhet fjalë për shkelje të izoluara apo për praktika me burim të përbashkët organizativ.

Ndër veprat penale që kërkohet të shqyrtohen përmenden tortura, plagosja, heqja e paligjshme e lirisë, shpërdorimi i detyrës, kryerja e veprimeve arbitrare dhe pengimi i tubimeve. Kallëzimi kërkon gjithashtu të verifikohet nëse ekzistojnë elementet ligjore të bashkëpunimit në kryerjen e veprave penale ose të një grupi të strukturuar kriminal. /citizens.al/

Saktësia ka rëndësi

Gjetët një pasaktësi në këtë artikull, apo jeni përmendur në të dhe doni të përgjigjeni? Na shkruani. Çdo korrigjim publikohet hapur, me datë, dhe çdo palë e përmendur ka të drejtë përgjigjeje.

Shpërndaje:
Denoncime qytetare

Keni dijeni për korrupsion apo abuzim me detyrën?

Na tregoni në mënyrë të sigurt dhe anonime. Çdo denoncim verifikohet nga redaksia para publikimit.

  1. DërgoniPlotësoni formularin dhe bashkëngjitni dokumente. Kontakti është opsional.
  2. VerifikojmëRedaksia kontrollon faktet, dokumentet dhe kërkon përgjigjen e palëve.
  3. PublikojmëDenoncimet e konfirmuara publikohen me statusin e verifikimit.
  • Identiteti juaj nuk zbulohet kurrë
  • Lidhje e koduar (HTTPS)
  • Pa reklama, pa ndjekje
Denonco tani →