nga Etrid ZIFLA
Më 3 tetor qeveria hapi “Pasqyrën e Flamingos”, portalin që mban emrin e simbolit të protestave kundër saj.
Më 9 tetor, Citizens.al tregoi çfarë pasqyrohej dhe çfarë mbeti jashtë kornizës: interesin e investitorit për Sazanin para ndryshimit të ligjit, procesverbalet e refuzuara në gusht e të publikuara në tetor, pyetjet e përgatitura javë më parë. Ky shkrim nuk e përsërit atë punë. Ai do të shtojë mbi punën e mrekullueshme të Citizens.al, duke bërë diçka më të thjeshtë: vendos dokumentet e vetë qeverisë përballë ligjit, dhe përballë asaj që ka thënë vetë qeveria.
1. Fillimisht leja, pastaj natyra
Ligji 10440/2011 për vlerësimin e ndikimit në mjedis nuk lë vend për interpretime. Neni 7(1) e kërkon vlerësimin para dhënies së lejes. Neni 26 e dënon veprimtarinë pa vendim VNM me gjobë 50.000–500.000 lekë dhe pezullim punimesh.
Portali i qeverisë e di mirë këtë. Në përgjigjen #5452 shkruan se pa VNM nuk mund të shqyrtohet leje ndërtimi. Deri këtu, gjithçka në rregull. Problemi është se i njëjti portal publikon edhe procesverbalet:
- 4 tetor 2024: Këshilli Kombëtar i Territorit miraton me kushte një leje zhvillimi për Zvërnecin.
- 28 janar 2025: miratohet një leje ndërtimi për blloqet F1V2, F1V3 dhe F1R6.
- 15 maj 2026: Agjencia Kombëtare e Mjedisit kërkon për herë të parë VNM të thelluar.
Vlerësimi mjedisor erdhi pra 19 muaj pas miratimit të parë. Portali nuk publikon asnjë vlerësim për lejet e 2024–2025. Që investitori e tërhoqi më pas kërkesën për lejen e janarit, siç raportoi Citizens.al, nuk e ndryshon pyetjen: mbi çfarë baze u miratua një leje ndërtimi pa vlerësim mjedisor?
2. Flamingot patën nëntë ditë për të festuar
Më 25 shtator 2024, me VKM nr. 596, u shpall Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, me ndalim të fragmentimit të habitateve. Nëntë ditë më vonë, më 4 tetor, u miratua leja e zhvillimit për Zvërnecin.
Në përgjigjen #9950, portali thotë se propozimi i 25 shtatorit “nuk u miratua në formën e paraqitur”. Është e vërtetë. Thjesht harron të shtojë se forma tjetër u miratua një javë e pak më vonë.
3. Projekti që nuk ekziston, por ka 39 metra lartësi
Në fillim të qershorit 2026, Kryeministri deklaroi se për Zvërnecin nuk ka ende projekt. Tre javë më parë, më 15 maj, agjencia e tij e mjedisit e kishte përshkruar projektin “Gadishulli i Zvërnecit” me një saktësi që do ta kishte zili çdo arkitekt: 265,8 hektarë, rreth 1,7 milionë m² ndërtim, kryesisht banim, deri në 39 metra lartësi.
Për një projekt që nuk ekziston, ka mjaft metra katrorë. Disa metra, sipas portalit humbasin rrugës: përgjigjet #9106 dhe #5982 thonë se kufijtë “nuk janë ende të përcaktuar qartë” dhe flasin për 251 hektarë. Rreth 15 hektarë kanë humbur diku mes dy zyrave të së njëjtës qeveri.
4. Ministri ishte në sallë
Më 30 mars 2026, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, me praninë e Ministrit të Mjedisit, miratoi një leje të re zhvillimi. U refuzua ndërtimi brenda liqenit, marina dhe ndërhyrja në zonën ranore. Pjesa tjetër kaloi. Vlerësimi mjedisor u kërkua gjashtë javë më vonë.
Në të njëjtën mbledhje u revokua një leje e mëparshme. Arsyeja nuk ishte mjedisore: tarifat nuk ishin paguar brenda afatit. Natyra nuk e ndali dot projektin. Një faturë e vonuar po.
5. Pesë shpjegime për një gardh
- Maj, Ministri i Mjedisit: vetëm një gardh për studime gjeologjike.
- Korrik, Ministri: punimet ishin vetëm për vlerësimin mjedisor.
- Gusht, inspektorati: gardhi u hoq vullnetarisht, ndaj inspektimi nuk vazhdoi.
- Tetor, portali (#6962): “veprim i paautorizuar i investitorëve”.
- Tetor, koordinatori i portalit: praktika është të priten afatet e ankimit.
Pesë shpjegime, zero sanksione. Nëse punimet ishin të paautorizuara, ligji parashikon gjobë dhe pezullim. Në dokumente nuk gjendet asnjëra.
6. Plazhi është i hapur për të gjithë. Sidomos për një.
Portali na qetëson në përgjigjet #2620 dhe #9782: plazhet do të mbeten të hapura për publikun. Letrat e Bashkisë Vlorë dhe të Ministrisë së Turizmit (2026) tregojnë se një zonë plazhi në Sazan, VL-174 me 2.651 m², u hartëzua për “investitorin strategjik” dhe u përjashtua nga tenderimi i zakonshëm sezonal.
Kjo ndodh ndërkohë që marrëveshja përfundimtare ende kërkon ligj të posaçëm në Kuvend. Çadra dhe dy shezllongë u rezervuan para se të nisë pushimi.
7. Kush qëndron pas “investitorit strategjik”
Portali flet vazhdimisht për “investitorin strategjik”, në njëjës . Regjistrat dhe dokumentet tregojnë diçka më të pasur: një zinxhir me më shumë hallka se një varëse çelësash.

pronësia · Sazan dhe Zvërnec
- Sazani: memorandumi i 21 shkurtit 2025 u nënshkrua për Atlantic Incubation Partners nga Asher Abehsera. I njëjti Abehsera kryeson Sazan Real Estate Development, që rri në krye të zinxhirit që zotëron tokën në Zvërnec. Kush zotëron Atlantic Incubation Partners nuk është publike.
- Zvërneci: toka është e regjistruar në emër të Albania Land Development. Pronarë përfundimtarë janë dy vëlezër nga Katari, me 50% secili, përmes Power International Holding dhe kompanive Assets.
- Lejet: janë në emër të një kompanie tjetër, Zvërnec South Adriatic Development. Asnjë dokument publik nuk shpjegon lidhjen e saj me pronarin e tokës. Njëri ka tokën, tjetri ka lejet, dhe pasqyra hesht.
- Kushner: në mars 2024 publikoi vetë në Instagram skicat e para për “bregdetin shqiptar”. Në fillim të verës 2026, Ivanka Trump e quajti Sazanin në një podcast “ishull privat” prej 1.400 hektarësh. Ligji e quan pronë publike. Kur nisën protestat, Affinity Partners deklaroi se “nuk ka asnjë rol” në projekt dhe se partnerët marrin pjesë “në emër personal”. Nga skicat në Instagram te “asnjë rol” kaluan dy vjet. Asnjë dokument publik nuk e tregon Kushner-in me aksione në këtë zinxhir. Por një partner vendas e ka: Grupi Kastrati, një nga kompanitë më të mëdha shqiptare, raportohet si partner në Sazan Real Estate Development. Që në mars 2024, New York Times shkruante se fondi i Kushner-it po bisedonte me Kastratin për “njohjen e terrenit”. Investitori i huaj nuk erdhi pa hartë.
- Çmimi: në nëntor 2025 u ra dakord shitja e tokës për rreth 5,5 milionë euro. Në prill 2026 shitja u mbyll me vlerë të deklaruar 122 milionë euro. Një rritje 22-fish në pesë muaj, që e ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK-ut. Shitësi i mohon akuzat.
Asnjë nga personat e përmendur këtu nuk është shpallur fajtor për asgjë. Pyetja nuk është kush shkeli ligjin. Pyetja është pse qytetarët duhet të ndërtojnë vetë këtë skemë, kur qeveria sapo hapi një portal për “transparencë”.
8. Çfarë i tha Shqipëria BE-së
Në përgjigjen #3290, portali thotë se Shqipëria u ka thënë përfaqësuesve të BE-së se nuk ka projekt përfundimtar, nuk ka leje ndërtimi dhe ndërtimi nuk ka nisur. Krahasojeni me sa më sipër: leje zhvillimi në 2024 dhe 2026, një leje ndërtimi e miratuar në 2025, një projekt i përshkruar me metra katrorë, dhe punime në terren me pesë shpjegime.
Pyetjet që mbeten
- Mbi çfarë baze ligjore u miratuan lejet e tetorit 2024 dhe janarit 2025, kur neni 7(1) i Ligjit 10440 e kërkon vlerësimin mjedisor para lejes?
- Si përputhet një kompleks prej 265 hektarësh, me rrugë të reja, me ndalimin e fragmentizimit të habitateve që vendosi vetë qeveria nëntë ditë më parë?
- Nëse punimet në Zvërnec ishin të paautorizuara, ku është sanksioni?
- Kush zotëron Atlantic Incubation Partners, dhe si lidhet kompania që ka lejet me atë që ka tokën?
Këto janë pyetje, jo akuza. Por i ngrenë dokumentet e vetë qeverisë. Pasqyrën e kemi. Tani na duhet dikush që të guxojë të shohë në të.







