Në Evropë, çdo të hënë në kutinë e postës gjen një fletëpalosje: banane me zbritje, vezë me zbritje, gjalpë “vetëm këtë javë”. Askush nuk e quan atë reformë. Askush nuk bën konferencë shtypi. Është thjesht një supermarket që do të shesë.
Në Shqipëri, e njëjta gjë ka një emër madhështor, Pasqyra Kombëtare e Çmimeve të Produkteve Bazë, një domain zyrtar, logon e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe, sigurisht, ndonjë faturë që ne nuk do ta shohim kurrë.
Hapa faqen me shpresë. Kur Ministria e “Inovacionit” nis një platformë kundër shtrenjtimit, pret që diçka të lirohet. Ja çfarë gjeta në ballinë, me shifrat e vetë qeverisë:
- 0 artikuj në promocion. Zero. 0% e produkteve nuk kanë asnjë ofertë. Platforma kundër shtrenjtimit numëron me krenari që askush s’ka ulur asgjë.
- 5 tregtarë gjithsej, në 15 qytete. Gjysma e vendit mund ta krahasojë çmimin vetëm me fqinjin.
- 5% është diferenca mesatare mes dyqaneve. Me fjalë të tjera: të gjithë janë njësoj të shtrenjtë, dhe tani kemi edhe certifikatë shtetërore për këtë.
- Në fund, me shkronja të vogla: çmimet “nuk përbëjnë ofertë apo reklamë dhe mund të ndryshojnë nga çmimet në arkë.” Pra shteti të tregon një çmim që mund të mos jetë ai që paguan. Kjo është fletëpalosje pa garancinë e fletëpalosjes.
Dhe kush i raporton çmimet? Vetë tregtarët, që i konfirmojnë vetë. Ministria luan rolin e postierit që shpërndan fletushkat e të tjerëve.
Le të bëjmë atë që Ministria nuk e bëri: krahasimin me Evropën
Mora çmimet më të ulëta nga Pasqyra dhe i vura përballë çmimeve të zakonshme në Lidl/Aldi në Gjermani e Austri. Kursi është rreth 91 lekë për euro.
| Produkti | Shqipëri (Pasqyra) | Gjermani/Austri (Lidl/Aldi) |
|---|---|---|
| Gjalpë, 1 kg | 525 lekë ≈ 5,74 € | ≈ 4,20 – 4,76 € (1,05–1,19 € paketa 250 g) |
| Banane, 1 kg | 199 lekë ≈ 2,18 € | 1,29 € DE (0,99 € në ofertë) · 1,59 € AT |
| Vezë, 10 copë | 189 lekë ≈ 2,07 € | 2,49 – 2,99 € (fshat, freelandhaltung) |
| Qumësht, 1 l | 119 lekë ≈ 1,30 € (UHT) | ≈ 0,95 – 1,15 € (i freskët) |
| Sheqer, 1 kg | 65 lekë ≈ 0,71 € | ≈ 0,99 € |
Po, sheqeri dhe vezët janë pak më lirë në lekë. Gjalpi, bananet dhe qumështi janë më shtrenjtë në Shqipëri sesa në Gjermani, në vendin me pagën minimale të tretën më të lartë në BE.
Tani vjen pjesa që nuk e gjen në asnjë “Pasqyrë”: rroga
Paga minimale në Shqipëri është 50.000 lekë bruto, rreth 547 €. Paga mesatare bruto është 90.119 lekë, rreth 986 €. Në Gjermani, paga minimale është 13,90 €/orë, rreth 2.409 € bruto në muaj.
Pra çmimi i gjalpit nuk duhet matur në lekë, por në minuta jete. Llogaritur me pagën minimale për orë (287 lekë në Shqipëri, 13,90 € në Gjermani):
| Sa duhet të punosh për… | Shqipëri | Gjermani |
|---|---|---|
| 1 kg gjalpë | ~110 minuta | ~18 minuta |
| 1 kg banane | ~42 minuta | ~6 minuta |
| 10 vezë | ~40 minuta | ~13 minuta |
| 1 l qumësht | ~25 minuta | ~5 minuta |
| 1 kg sheqer | ~14 minuta | ~4 minuta |
Një kamerier në Tiranë punon gati dy orë për një kilogram gjalpë. Kolegu i tij në Düsseldorf e blen pas pushimit të kafesë. Dhe qeveria i thotë kamerierit: “Ja, të kemi bërë një faqe interneti ku mund ta shohësh sa shtrenjtë është.”
Pasqyrë, pasqyrë në mur
Emri është zgjedhur mirë, sepse pasqyra nuk ndryshon asgjë. Të tregon fytyrën që ke. Nëse je i varfër, pasqyra të tregon një njeri të varfër, në rezolucion të lartë dhe me përditësim javor.
Një qeveri që do t’i ulë çmimet ka mjete të vërteta: konkurrencë reale në tregun e importit, ku pak firma ndajnë tortën, Autoritet Konkurrence që kafshon e jo vetëm leh, ulje të TVSH-së për produktet bazë siç bënë vende të rajonit, mbështetje për prodhimin vendas që të mos importojmë edhe vezën, dhe mbi të gjitha paga që lidhen me koston reale të jetesës.
Por këto kërkojnë punë, përplasje me interesa dhe rrezik. Një faqe interneti kërkon një template, një logo dhe një postim në Facebook.
Kështu Shqipëria bëhet i vetmi vend në Evropë ku fletëpalosja e supermarketit u nis nga Ministria. Në Gjermani, Lidl-i të bën ofertë sepse do klientin. Në Shqipëri, Ministria të bën “pasqyrë” sepse do votën tënde.
Dhe në pasqyrë, si gjithmonë, ofertat janë zero.







