Nga – Studenti
Në vitin e njëzet e nëntë të jetës sime, kam kuptuar se sa në rrezik janë populli shqiptar dhe Shqipëria siç e njohim ne që kemi lindur e jemi rritur atje. Protestuesit në Tiranë mbështetën protestën vendore në skenën e krimit mjedisor dhe urbanistik në Zvërnec, ku kjo revoltë u shndërrua në një lëvizje qytetare që vazhdon edhe sot, pavarësisht zhvillimeve të reja.
Dhuna e policisë dhe e forcave private e shtetërore të sigurisë (të ashtuquajturit «zbiro», siç u thonë në Vlorë) u përhap si një kancer: nga tërheqja zvarrë e një qytetari të pafajshëm e të parrezikshëm në Zvërnec, deri te dhuna kriminale ndaj të miturve, studentëve dhe kujtdo që shënjestrohet nga Policia e Shtetit.
Kryeministri i dështuar mundohet të ruajë imazhin e një policie të rraskapitur që përpiqet të “mbrojë rendin”, por faktet kanë treguar se janë vetë policët ata që shkelin ligjet dhe nëpërkëmbin dinjitetin e qytetarëve shqiptarë nëpërmjet dhunës dhe kërcënimeve. Ashtu siç zbirot e tërhoqën zvarrë qytetarin në Zvërnec, Policia e Shtetit ka tërhequr zvarrë edhe njerëz që patën guximin të dilnin në shesh dhe të flisnin për krimin. Pavarësisht uniformave të ndryshme, sjellja e tyre është e njëjtë dhe ngre pikëpyetje.
Jam i sigurt se moshatarët e mi më kuptojnë kur pranoj se Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria që ne dëshironim të shihnim. Ne ëndërronim një Shqipëri pa korrupsion, ku të ndiheshim të sigurt dhe krenarë. Përkundrazi, morëm një Shqipëri ku e ardhmja jonë cenohet ose përmirësohet vetëm në varësi të mbështetjes së një partie politike.
Logjika e protestës në Shqipëri nuk kufizohet vetëm te dorëheqja e Edi Ramës. Ajo synon rrëzimin e një figure të fundit të korruptuar, ndërkohë që shqiptarët kanë vendosur së bashku se nuk mund ta pranojnë korrupsionin aty ku vendoset fati i Shqipërisë. Në mënyrë ironike, por patriotike, qytetarët përpiqen ta marrin në dorë fatin e Shqipërisë, duke u bashkuar në dënimin e shkeljeve. Korrupsioni arriti të ndante breza të tërë nga familjet e tyre në Shqipëri, por kjo dhimbje gjeti mënyrën për t’u shprehur në sheshet e Tiranës, por edhe në ato të Europës, Amerikës dhe Kanadasë.
Shqipëria që po na lë qeveria e «Rilindjes» është një eksperiment socio-ekonomik i kushtëzuar nga vendimet e Edi Ramës dhe bashkëpunimi i tij me rrjetet kriminale dhe biznesmenët. Ne menduam se kjo mund të ishte «Rilindja» e krenarisë shqiptare dhe e zhvillimit, por ajo doli të ishte «Rilindja» e krimit dhe e korrupsionit. Krimi në kohën e Berishës të vriste dhe të kërcënonte, kurse krimi në kohën e Ramës të gjobit, të takson dhe, në fund, të mashtron. Në qoftë se ti mundohesh të publikosh provat e kësaj skeme, atëherë të kërcënon dhe të vret.
Shqiptarët meritojnë një vend pa korrupsion dhe ndoshta ky është mesazhi më i rëndësishëm që duhet të marrin edhe politikanët e Bashkimit Europian. Politikanët, biznesmenët, kriminelët dhe militantët partiakë që e kanë mbajtur në këmbë këtë sistem të rrënjosur prej 35 vjetësh janë përgjegjës për një krim kombëtar. Ligjet janë kthyer thjesht në një vegël të pushtetit, e cila as e ndihmon dhe as e mbron qytetarin shqiptar. Kur qëllimi i ligjeve të reja dhe i reformave bëhet mundësimi i aferave korruptive përmes shpenzimit të fondeve buxhetore, kuptojmë se ky shtet ka marrë fund.
Kjo nuk do të thotë se kombi shqiptar ka marrë fund. Shqiptarët në Shqipëri dhe në botë e kanë kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh në një vend që nuk është i kapur nga krimi. Gjatë këtyre 36 vjetëve është formuar një vetëdije e re mes shqiptarëve që kanë emigruar lirisht, duke ruajtur lidhje të forta me prindërit, miqtë dhe gjithë familjen në Shqipëri. Guximi i shqiptarëve dhe dashuria për njëri-tjetrin do ta shpëtojnë këtë vend nga pasojat vrastare të një qeverisjeje klienteliste dhe të paaftë.







