Edi Rama prezantoi sot një tjetër risi ekonomike: “Pasqyrën e Çmimeve”. Mbi 200 produkte, pesë operatorë të mëdhenj dhe një premtim historik: çmimet nuk do të ndryshojnë për tre muaj.
Pas kaq vitesh qeverisje, duket se zgjidhja për shtrenjtimin e jetesës u gjet më në fund. Nuk është rritja e fuqisë blerëse, nuk janë pagat që duhet të përballojnë çmimet dhe as ulja e kostos së jetesës. Është një tabelë!
Qytetari mund të mos ketë para për të mbushur karrocën, por të paktën do të ketë mundësi të konsultojë listën e produkteve që nuk i përballon dot me çmime të pandryshuara.
Dhe këtu qëndron mrekullia e ekonomisë së re: çmimet nuk ulen, por stabilizohen; pagat nuk rriten domosdoshmërisht, por qytetarit i kërkohet të vlerësojë faktin që buka nuk është shtrenjtuar sërish. Një lloj progresi ku nuk bëhesh më mirë, por të paktën premtohet se nuk do të bëhesh më keq.
Qeveria flet për produkte deri në 22% më të lira. Por pyetja është e thjeshtë: 22% më lirë se ku, për cilat produkte dhe për sa familje? Sepse një përqindje në konferencë shtypi nuk e mbush frigoriferin dhe një listë me 200 produkte nuk e zgjat pagën deri në fund të muajit.
Ndërkohë, lista mund të zgjerohet në 1.000 produkte deri në fund të vitit. Me këtë ritëm, deri në fund të mandatit mund të kemi një katalog gjigant të produkteve që qytetarët mund t’i shohin, t’i krahasojnë dhe, në rastin më të mirë, t’i blejnë.
Ndoshta hapi i radhës do të jetë një aplikacion qeveritar që të njofton kur një produkt është brenda buxhetit tënd. Ose edhe më mirë, një alarm që bie kur të kanë mbetur para vetëm për bukë dhe qumësht.
Në fund, Rama ka një lajm të mirë për shqiptarët: për tre muaj, çmimet nuk do të ndryshojnë. Shqiptarët kanë vetëm një problem të vogël: as pagat, as pensionet dhe as hallet e tyre nuk presin konferencën e ardhshme për shtyp.







