TIRANË – Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin kanë zhvilluar një vizitë në Shqipëri dhe Kosovë, në kuadër të turit të tyre në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Të dy njihen si mbështetës të nismave legjislative që lidhen me rajonin.
Axhenda e tyre në Tiranë u përqendrua te siguria, ruajtja e integritetit euroatlantik, bashkëpunimi me NATO-n dhe forcimi i sundimit të ligjit. Gjatë takimeve në Shqipëri, senatorët u shoqëruan nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt.
Gjatë qëndrimit në vend, Shaheen dhe Durbin u takuan me Presidentin Bajram Begaj, drejtues të institucioneve të reja të drejtësisë dhe përfaqësues të opozitës. Megjithatë, në axhendën e takimeve nuk ishte përfshirë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Takim me drejtuesit e SPAK dhe BKH
Të shtunën, senatorët amerikanë zhvilluan një takim në zyrat e dy strukturave kryesore të hetimit në Shqipëri, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Së bashku me ambasadorin Wendt, ata biseduan me kreun e SPAK, Klodjan Braho, dhe drejtuesin e BKH-së, Joni Keta.
Kjo ishte vizita e dytë e ambasadorit të ri amerikan në SPAK brenda pak ditësh. Menjëherë pasi mori detyrën në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë, Wendt kishte takuar drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme. Takimet janë një tjetër tregues i angazhimit amerikan për bashkëpunimin me institucionet shqiptare të drejtësisë.
Begaj dekoron dy senatorët amerikanë
Në takimin me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin u nderuan për kontributin e tyre me dekoratën e lartë “Komandant i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan, Eric Wendt.
Takime me opozitën, por jo me Berishën
Senatorët amerikanë dhe ambasadori Wendt zhvilluan gjithashtu bisedime me përfaqësues të kampit opozitar.
Në këtë kuadër, ata takuan deputetët e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso. Sipas informacioneve të bëra publike, përfaqësuesit e PD-së ngritën shqetësime lidhur me mënyrën e qeverisjes së vendit.
Takime u zhvilluan edhe me kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, si dhe me deputeten Marjana Koçeku, e cila është e pavarur pas largimit nga Partia Socialiste.
Fakti që Sali Berisha nuk ishte pjesë e axhendës së takimeve përbën një nga elementet më të spikatura të vizitës së senatorëve amerikanë në Tiranë. Megjithatë, deri në informacionet e bëra publike, nuk është dhënë një shpjegim zyrtar për arsyen e moszhvillimit të një takimi me kreun e opozitës.
Pas përfundimit të takimeve në Shqipëri, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin janë nisur drejt Kosovës, ku pritet të takojnë përfaqësues të politikës së vendit fqinj.







