OECD rrëzon propagandën dixhitale të Ramës: Shqipëria e fundit në rajon për sigurinë kibernetike

7 min lexim
Besmir Semanaj

Nga Besmir Semanaj

Raporti i ri i OECD-së për Ballkanin Perëndimor e rendit Shqipërinë të katërtën nga gjashtë vende. Në infrastrukturë jemi të fundit, në transformimin dixhital të pestët, ndërsa për serverët e sigurt të internetit kemi vetëm 1,7 % të nivelit të BE-së.

 

Për vite me radhë qeveria na ka shitur Shqipërinë si vendin e “revolucionit dixhital”. E-Albania, 95 për qind e shërbimeve online, ministrja virtuale Diella, inteligjenca artificiale që do të zhdukë korrupsionin në tenderë. Raporti “Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2026”, i publikuar nga OECD, i vendos këto fjalime përballë shifrave. Dhe shifrat tregojnë diçka krejt tjetër.

OECD mat 43 tregues në gjashtë fusha dhe i krahason vendet e rajonit me mesataren e BE-së, së cilës i jep 100 pikë. Shqipëria merr 53 pikë dhe renditet e katërta, pas Malit të Zi (65), Serbisë (62) dhe Maqedonisë së Veriut (55). Në infrastrukturë jemi të fundit, me 33 pikë. Në transformimin dixhital jemi të pestët, me 40 pikë, para vetëm Bosnjës. Fusha e vetme ku dalim të parët është mjedisi, falë hidrocentraleve të ndërtuara dekada më parë. Edhe aty pikët kanë rênë nga 92 në 81 brenda dhjetë vitesh.

Para se dikush ta quajë raportin të njëanshëm, duhet thënë se të dhënat vijnë nga Eurostat, Banka Botërore, FMN dhe INSTAT. Në raport falënderohen zyrtarë të INSTAT dhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për kontributin e tyre. Janë shifrat e vetë qeverisë. Për më tepër, OECD shkruan se tabela përdoret për të orientuar fondet e BE-së për rajonin.

Siguria kibernetike, më e dobëta në rajon

Si dikush që punon çdo ditë me infrastrukturë IT dhe siguri kibernetike, treguesi që më bëri më shumë përshtypje është ai i serverëve të sigurt të internetit. OECD e përdor për të matur sa i përgatitur është një vend përballë rreziqeve kibernetike. Shqipëria ka vetëm 1,7 për qind të nivelit të BE-së, rreth 1 400 serverë për milion banorë kundërejt 84 617 në Europë. Jemi të fundit në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës dhe Serbisë. Dhe treguesi ka rênë që nga periudha 2020–2022.

Raporti përmend edhe një fakt tjetër që duhet të na shqetësojë. Në vitin 2025 i gjithë Ballkani Perëndimor kishte vetëm 23 pika lokale infrastrukture për shërbimet dixhitale, të ashtuquajturat “edge nodes”, ndërkohë që BE kishte 2 257. Sipas OECD, një pjesë e madhe e shërbimeve dixhitale në rajon mbështetet në infrastrukturë jashtë vendit. Me pak fjalë, të dhënat tona kalojnë nëpër sisteme që shteti shqiptar nuk i kontrollon.

Këtë e kemi provuar në kurriz tonën. Në vitin 2021 dolën publikisht pagat dhe të dhënat personale të 637 138 qytetarëve, si dhe databaza e patronazhistëve me informacione për rreth 910 mijë votues. Në korrik 2022 hakerat iranianë rrëzuan e-Albania, ndërsa në shtator të të njëjtit vit sistemin kufitar TIMS. Më pas u sulmuan Bashkia e Tiranës në qershor 2025 dhe posta elektronike e Kuvendit në mars 2026.

Pas sulmit ndaj TIMS, Rama deklaroi se “agresioni nuk ia ka arritur aspak objektivit të tij”. Katër vjet më vonë, OECD na rendit të funditët. Për rrjedhjen e pagave, kryeministri tha se ishte “më shumë si një infiltrim i brendshëm sesa një sulm nga jashtë”. Nëse është kështu, gjendja është edhe më e rëndë, sepse do të thotë që shteti nuk kontrollon as se kush ka akses në të dhënat tona.

E-Albania: të parët me detyrim

Treguesi ku Shqipëria del e para është përdorimi i internetit për shërbime shtetërore, me 58,4 për qind të popullsisë. Qeveria me siguri do ta përdorë këtë shifër. Por në të njëjtin raport Shqipëria ka përqindjen më të ulët në rajon të njerëzve me aftësi bazë dixhitale, vetëm 23,3 për qind kundërejt 57,6 në BE, si dhe përdorimin më të ulët të internetit, 84,7 për qind.

Si mund të jemi të parët në përdorimin e portalit, kur kemi më pak njerëz që dinë ta përdorin? Përgjigjen e di çdo shqiptar. Shumë shërbime ofrohen vetëm online, ndaj qytetari detyrohet, dhe shpesh aplikimin ia bën një agjenci apo një i afërm. Vetë OECD shkruan se para vitit 2024 e-Albania kishte mbi 1 200 shërbime, por përdorimi mbeti i ulët. Si burim për rritjen e vitit 2024, raporti citon faqen e qeverisë kushtuar Diellës.

Në nëntor 2020 Rama premtonte: “95% e shërbimeve të shtetit do të jenë online dhe pa tarifë, çdo qytetar mund t’i përfitojë këto shërbime pa shumë kohë dhe pa shumë para.” Shërbimet u kaluan online, por askush nuk u kujdes t’i mësojë qytetarët. Pjesëmarrja e të rriturve në trajnime është 1,2 për qind, më e ulëta në rajon dhe e pandryshuar prej dhjetë vitesh.

AI në letër, produktiviteti në fund

Shqipëria del e para edhe për bizneset që përdorin inteligjencë artificiale, me 10,6 për qind. Por në shënimet e raportit lexohet se kjo e dhënë për Shqipërinë nuk vjen nga Eurostat si për vendet e tjera, por nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. OECD shton se në rajon AI përdoret kryesisht përmes mjeteve të gatshme si chatbot-et, ndërsa aplikimet e avancuara janë të rralla.

Nëse AI do të kishte hyrë vërtet në ekonomi, do ta shihnim te produktiviteti dhe te eksportet. Nuk e shohim. Shqipëria ka produktivitetin më të ulët të punës në rajon, 17,6 dollarë për orë, një e katërta e mesatares europiane. Eksportet e shërbimeve IT janë 0,9 për qind e PBB-së, sërish të funditët, ndërkohë që Serbia arrin 4,8 për qind. Edhe interneti ynë është më i ngadalti në rajon, me 27,6 Mbit/s.

Diella dhe korrupsioni

Në shtator 2025 Rama prezantoi Diellën dhe premtoi se tenderët publikë do të ishin “100 për qind të lirë nga korrupsioni”. Sipas OECD, Shqipëria është në 13 për qind të nivelit të BE-së për kontrollin e korrupsionit. Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion ka rreth 30 punëtorë për të koordinuar punën në rreth 20 institucione, dhe organet antikorrupsion nuk kanë kapacitet të monitorojnë zbatimin.

Të dhënat e raportit mbyllen në vitin 2024, ndaj efekti i Diellës ende nuk matet. Por korrupsioni është problem institucional dhe një avatar në ekran nuk e zgjidh.

Përtej ekranit

Teknologjia ka nevojë për rrugë, energji, shkolla dhe një ekonomi që funksionon. Edhe këtu shifrat janë të rënda. Shqipëria ka dendësinë më të ulët të rrugëve në rajon dhe është i vetmi vend ku ajo ka rênë. Rrjeti hekurudhor është tkurrur me mbi 28 për qind që nga viti 2014. Gati një e pesta e energjisë humbet në rrjet.

Në testin PISA të matematikës kemi rënien më të madhe në rajon. Rreth 26 për qind e të punësuarve punojnë informalisht, dhjetë herë më shumë se në BE. Shqipëria ka edhe rritjen më të madhe të emigrimit në rajon, dhe OECD paralajmëron se një pjesë e rritjes së punësimit shpjegohet pikërisht me largimin e njerëzve.

Paratë nuk mungojnë. Për periudhën 2021–2027 Shqipëria merr nga BE mesatarisht 100,6 euro për banor në vit, e dyta në rajon dhe më shumë se dyfishi i asaj që mori Kroacia para anëtarësimit.

Vitrina dhe themelet

Për të qenë korrekt, raporti tregon edhe progres. Shqipëria ka punësimin më të lartë në rajon, mbulim 4G pothuajse të plotë, deficit të ulët dhe të ardhura që i afrohen BE-së më shpejt se te shumica e fqinjëve. Por modeli është i qartë. Përparojmë aty ku mjafton një vendim administrativ, një lehtësim fiskal apo investimi i operatorëve privatë. Mbetemi të fundit aty ku duhen institucione: shkollë, aftësi, rrugë, siguri kibernetike dhe luftë e vërtetë kundër korrupsionit.

Qeveria shet vitrinën, pra portalin, avatarin dhe fjalën “AI”. OECD mat themelet. Një shtet që i ka çuar të gjitha shërbimet online, por nuk ka as 2 për qind të infrastrukturës së sigurt të Europës, nuk ka bërë revolucion dixhital. Ka mbledhur të dhënat e të gjithë qytetarëve në një vend të vetëm, pa qenë në gjendje t’i mbrojë.


Besmir Semanaj është ekspert i IT-së dhe i sigurisë kibernetike, me bazë në Vjenë.

Burimi: OECD (2026), Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2026, OECD Publishing, Paris.

Saktësia ka rëndësi

Gjetët një pasaktësi në këtë artikull, apo jeni përmendur në të dhe doni të përgjigjeni? Na shkruani. Çdo korrigjim publikohet hapur, me datë, dhe çdo palë e përmendur ka të drejtë përgjigjeje.

Shpërndaje:
Denoncime qytetare

Keni dijeni për korrupsion apo abuzim me detyrën?

Na tregoni në mënyrë të sigurt dhe anonime. Çdo denoncim verifikohet nga redaksia para publikimit.

  1. DërgoniPlotësoni formularin dhe bashkëngjitni dokumente. Kontakti është opsional.
  2. VerifikojmëRedaksia kontrollon faktet, dokumentet dhe kërkon përgjigjen e palëve.
  3. PublikojmëDenoncimet e konfirmuara publikohen me statusin e verifikimit.
  • Identiteti juaj nuk zbulohet kurrë
  • Lidhje e koduar (HTTPS)
  • Pa reklama, pa ndjekje
Denonco tani →