🇬🇧 Read this article in English →
Ndërsa qytetarët vazhdojnë të protestojnë kundër qeverisë, një nga zërat më të njohur të Kongresit amerikan për Ballkanin, republikani Joe Wilson, doli të shtunën me një deklaratë të fortë për situatën në Shqipëri.
„Po e ndjek me shqetësim të madh krizën që po përshkallëzohet në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, shtet ligjor dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo dhunë ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre”, shkroi Wilson në rrjetin X.
Mesazhi është i qartë dhe i drejtuar: paralajmërimi për dhunën i adresohet qeverisë, jo protestuesve. Kur një kongresmen amerikan e quan situatën „krizë që po përshkallëzohet” dhe i kujton qeverisë se nuk duhet të ngrejë dorë ndaj qytetarëve, kjo tregon se Uashingtoni po e sheh atë që shqiptarët po e thonë prej kohësh në rrugë.
Wilson nuk është emër periferik në politikën amerikane. Ai është anëtar i Komisionit të Jashtëm dhe i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri–SHBA dhe prej vitesh një nga mbështetësit më të fortë të Kosovës në Kongres. Pikërisht një mik i vjetër i shqiptarëve është ai që po ngre zërin.
Kjo deklaratë nuk vjen nga hiçi. Para disa muajsh, Wilson depozitoi në Kongres një amendament që kërkon që strukturat e inteligjencës amerikane të shqyrtojnë shtrirjen e trafikut të drogës në Shqipëri dhe rolin e mundshëm të qeverisë në lehtësimin e tij, përmes një raporti të klasifikuar për Kongresin. Muajin e kaluar, në një seancë të Komisionit të Jashtëm për Ballkanin Perëndimor, ai deklaroi se korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti zgjedhor në Shqipëri janë ndikuar nga qeveria e Edi Ramës, duke nxitur rrjetet e trafikut të drogës.
Në atë seancë Wilson tha gjithashtu se e frymëzon fakti që vendi më komunist i Luftës së Ftohtë sot është i lirë, dhe se Amerika dëshiron që Shqipëria të ketë sukses. Por suksesi nuk ndërtohet mbi një shtet ku qytetarët që kërkojnë llogari përballen me frikën e dhunës.
Thirrja e tij për të rinjtë ka peshë të veçantë. Janë pikërisht të rinjtë ata që po largohen me mijëra nga vendi, dhe janë ata që sot po dalin në sheshe për të kërkuar një Shqipëri ku të mund të jetojnë. Kur zëri i tyre dëgjohet në Kongresin amerikan, qeveria nuk mund ta fshehë më krizën pas propagandës.
Protesta vazhdon. Dhe tani, edhe Uashingtoni po dëgjon.






