Diaspora shqiptare ka ngritur zërin në mbështetje të studentëve. Koordinatorët e protestave në mërgatë kanë bërë publike një deklaratë të përbashkët, të nënshkruar nga qytetet ku janë mbajtur dhe po organizohen protesta solidariteti me protestuesit në Shqipëri.
Shqiptarët që jetojnë në Europë, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi u shprehin studentëve mbështetje të plotë dhe pa kushte. Ata njoftojnë se të shtunën, më 17 tetor, qindra mërgimtarë do të udhëtojnë drejt atdheut për t’u bashkuar me protestuesit në sheshe. Sipas deklaratës, kjo do të jetë vetëm vala e parë, dhe ardhjet do të vazhdojnë ditë pas dite.
Ata që nuk mund të udhëtojnë do të dalin në sheshet e qyteteve ku jetojnë. Do të kërkojnë gjithashtu nga institucionet ndërkombëtare që e drejta e protestës paqësore të garantohet dhe çdo akt dhune ndaj protestuesve të mos mbetet pa përgjegjësi.
Më poshtë, deklarata e plotë:
DEKLARATË E PËRBASHKËT E DIASPORËS SHQIPTARE
Nga qytetet ku janë organizuar dhe po organizohen protesta në mbështetje te protestuesve ne Shqiperi
Ne, shqiptarët që jetojmë dhe punojmë jashtë atdheut, të bashkuar nga qytete te ndryshme në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Kanada e më gjerë, shpallim sot me një zë të vetëm mbështetjen tonë të plotë dhe të pakushtëzuar për protestën e studentëve në Shqipëri.
Të dashur studentë,
Ju po bëni atë që shumë prej nesh nuk patëm mundësinë ta bënim: po ngrini zërin për të drejtën, për dinjitetin dhe për një Shqipëri nga ku askush nuk detyrohet të largohet për të jetuar me nder. Ne që ikëm, e dimë më mirë se kushdo çmimin e heshtjes. E dimë sa kushton një vend që i humbet bijtë e tij. Prandaj zëri juaj është edhe zëri ynë.
Këtë të shtunë, diaspora vjen në Shqipëri.
Me qindra shqiptarë nga mërgata do të udhëtojnë drejt atdheut për të qenë fizikisht në sheshet e Shqipërisë, krah për krah me ju. Dhe kjo nuk do të jetë një ditë e vetme. Çdo ditë, valë pas vale, shqiptarët e diasporës do të vijnë e do të bashkohen me ju, derisa zëri juaj të mos mund të injorohet më.
Ndërkohë, kush prej nesh që nuk mund të udhëtojnë do të dalë në sheshet e qyteteve ku jetojnë, në çdo shesh të Europës, Shteteve të Bashkuara dhe më gjerë, që zëri i studentëve shqiptarë të dëgjohet në çdo cep të botës.
Cilido që s’mund të jetë fizikisht në shesh, do të bëjë pjesën e vet: do të telefonojë familjarët, miqtë dhe shokët në Shqipëri, do t’u kërkojë të dalin, të mos heshtin, të mos e lënë rininë vetëm. Do t’u shkruajë institucioneve europiane dhe ndërkombëtare, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përfaqësive diplomatike, për të kërkuar që e drejta e protestës paqësore të garantohet dhe që çdo akt dhune apo përdorim i tepruar i forcës nga policia ndaj protestuesve të dokumentohet, të hetohet dhe të mos mbetet pa përgjegjësi.
Nuk jeni vetëm. Ne ju mbështesim pa kushte.
Nga Vjena deri në Nju Jork, nga Frankfurti deri në Londër, nga Milano deri në Zyrih, një komb i tërë po ju dëgjon. Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë, dhe ne jemi me ju.
Diaspora Shqiptare
Koordinatoret e Protestave ne Diaspore







