🇬🇧 Read this article in English →
Tiranë / Berlin, 20 tetor 2026
Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri kanë marrë vëmendje edhe në Gjermani. Knut Abraham, deputet i CDU-së në Bundestag dhe ish-këshilltar i kancelares Angela Merkel, ka reaguar publikisht për ngjarjet në Tiranë.
Në një postim në rrjetin X, Abraham shkruan se i ka ndjekur protestat me shqetësim të thellë. Sipas tij, qytetarët shqiptarë po kërkojnë që t’i jepet fund korrupsionit, favoreve politike dhe lidhjeve mes krimit të organizuar dhe politikës.
Deputeti gjerman thekson se këto kërkesa përkojnë me vlerat europiane që Shqipëria është angazhuar t’i respektojë. Me fjalë të tjera, ai nuk i sheh protestuesit si kërcënim për rrugën europiane të vendit, por si zë që kërkon pikërisht standardet që BE-ja i kërkon Tiranës.
Abraham nuk është një zë i rastësishëm në politikën gjermane. Në Bundestag ai bën pjesë në Komisionin për Punët e Jashtme dhe në atë për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare, ku drejton grupin e CDU/CSU-së. Ai është gjithashtu anëtar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Reagimi i tij vjen në ditën e tetë të protestave, ku të rinjtë vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Po sot, policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës kundër protestuesve, ndërsa OSBE/ODIHR i bëri thirrje policisë të shmangë forcën e paligjshme dhe joproporcionale.
Deklarata e Abraham i shtohet listës në rritje të reagimeve ndërkombëtare për situatën në Shqipëri.
Burimi: Knut Abraham (X)






