🇬🇧 Read this article in English →
TIRANË, 20 tetor 2026 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar sot ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, akuzat përfundimtare për pesë vepra penale. Akuzat përfshijnë shkelje të barazisë në tendera publike nëntë herë, korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash për dy pasuri të paluajtshme.
Ky është hapi që i paraprin dërgimit të çështjes në gjykatë dhe tregon se dosja ka marrë një peshë shumë më të madhe se në fillim të hetimit.
Deklarata e plotë e SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:
“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.
Nga një akuzë, në pesë vepra penale
Kur u mor e pandehur në tetor 2025, Balluku akuzohej vetëm për një vepër: shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike, e lidhur me tenderin e tunelit të Llogarasë. Më pas hetimi u zgjerua edhe te Unaza e Jashtme e Tiranës, ku SPAK pretendon se ajo ka favorizuar ofertues të caktuar. Vetëm projekti i tunelit vlerësohet rreth 190 milionë euro.
Tani numri i tenderave të kontestuar shkon në nëntë. Por ndryshimi më i madh është tjetër: akuzat për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Dosja nuk flet më vetëm për procedura të shkelura, por për përfitime personale dhe për prona ku, sipas prokurorisë, mund të kenë përfunduar paratë.






