Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin drejt Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku sipas aktivistëve ndodhet Artur Alimadhi, qytetari i ndaluar gjatë protestave.
Marshimi është paralajmëruar më herët dhe ka si qëllim kërkesën për lirimin e Alimadhit. Protestuesit kanë bërë thirrje: “Lironi Arturin” dhe “Mos mbani peng qytetarin”.
Aktivisti Edison Lika deklaroi se marshimi po zhvillohet për të kërkuar lirimin e Alimadhit, duke kujtuar se ai ishte marrë me forcë gjatë protestës para Parlamentit.
“Ne na liruan, por një djalosh që u mor zvarrë në protestën te Parlamenti është akoma aty. Ndaj ky marshim e ka për detyrim të shkojmë te Komisariati. Shkojmë aty për Artur Alimadhin, kërkojmë lirimin e Arturit. Marshimin e udhëheqin studentët. Shkojmë te Komisariati 3 për shkak se një qytetar mbahet peng nga dje”, u shpreh Lika.
Protestuesit vijojnë marshimin drejt komisariatit, ndërsa kërkesa kryesore e tyre mbetet lirimi i Artur Alimadhit.







