E bukura e këtyre protestave në Shqipëri dhe në diasporë është se funksionojnë si blockchain.
Kjo nuk është protestë kundër një qeverie. Është kundër një sistemi që ka mbetur i njëjti prej 36 vitesh, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, e majtë apo e djathtë. Klientelizmi, kapja e institucioneve, korrupsioni që kalon nga një garniturë te tjetra si stafetë kjo nuk është faji i një partie. Është vetë modeli.
Dhe pikërisht për këtë, lëvizja nuk ka nevojë për një lider.
Sepse nuk ka një “server qendror” që mund ta godasësh dhe gjithçka të bjerë. Nuk ka një njeri që mund ta arrestosh, ta blesh apo ta diskreditosh, dhe me të gjithë lëvizja të shuhet.
Çdo qytetar është një nyje e pavarur. Në Tiranë, në Shkodër, në Vlorë, në Milano, në Londër, në Nju Jork — secili mban të njëjtën të vërtetë, të njëjtën revoltë, pa pritur urdhër nga askush “lart”.
Kjo e bën protestën të pathyeshme jo vetëm ndaj një qeverie, por ndaj vetë sistemit që e ka ushqyer atë 36 vjet me radhë. Sepse për ta ndalur, duhet të godasësh jo një pikë apo një parti, por mijëra pika njëkohësisht diçka që as vetë sistemi nuk mund ta bëjë, sepse ai është ndërtuar pikërisht mbi logjikën e kundërt: hierarki, qendër, kontroll.
Ka vetëm njerëz të lidhur nga një lodhje e përbashkët prej tri dekadash e gjysmë, jo nga një emër apo parti dhe kjo lidhje është më e fortë se çdo strukturë pushteti që ka mësuar të mbijetojë duke ndryshuar fytyrë, por jo thelb.
Kjo nuk është dobësi. Kjo është forma më e vështirë për t’u thyer e rezistencës, sepse nuk sulmon një qeveri sulmon vetë arkitekturën që i ka mbajtur të gjitha qeveritë njësoj.



