,

Nëse në Shqipëri do të kishte ANTIFA, ajo do të ishte e Ramës

4 min lexim
Besmir Semanaj

🇬🇧 Read this article in English →

nga Besmir Semanaj

Edi Rama i ka quajtur protestuesit të rinj të ideologjizuar nën ndikimin e ANTIFA-s, organizatës që presidenti amerikan e ka shpallur terroriste. Ekspertët e sigurisë thonë se deri më sot nuk është paraqitur asnjë provë për ekzistencën e një strukture të tillë në Shqipëri. Megjithatë, le ta pranojmë për një çast hipotezën e kryeministrit dhe ta ndjekim me logjikën e tij deri në fund. Po ta bëjmë këtë, do të shohim se çdo rrugë të çon te e njëjta derë, te dera e vetë Edi Ramës.

I. Ideologjia

Sipas përshkrimit që i bën vetë Rama, ANTIFA është një lëvizje e së majtës radikale. Në Shqipëri, forca e majtë që qeveris prej trembëdhjetë vitesh është Partia Socialiste e Edi Ramës. Kjo parti është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, e cila e mbështeti gjithë legjitimitetin e saj te lufta antifashiste. Çdo 29 Nëntor, partia e Ramës e kremton çlirimin nga fashizmi si një nga datat themelore të historisë së saj.

Prandaj, po të ekzistonte diku në Shqipëri një “frymë antifashiste e radikalizuar”, ajo nuk do ta kishte vendin te studentët që protestojnë kundër korrupsionit, kushteve të mjerueshme në universitete dhe resortit të Kushner-it në Zvërnec. Vendin e vet natyror do ta gjente në traditën politike që përfaqëson pikërisht Rama.

II. Paraja

Rama nuk e përmendi ANTIFA-n rastësisht. E lidhi drejtpërdrejt me vendimin e Donald Trump-it, duke marrë kështu të gatshëm edhe këndvështrimin e administratës amerikane. Ky këndvështrim nuk ndalet te emri i organizatës, por shkon edhe te ata që, sipas tij, e financojnë. Trump kërkoi që financuesit e ANTIFA-s të hetohen tërësisht. Në shtator të vitit 2025, një memorandum presidencial u kërkoi prokurorive amerikane të hartonin plane për hetimin e Open Society Foundations, rrjetit të themeluar nga George Soros. Më pas, republikanët në Kongres i kërkuan Open Society dokumente për lidhjet e supozuara me grupe pranë ANTIFA-s.

Duhet thënë qartë se këto janë akuza politike, të paprovuara në asnjë gjykatë. Por janë pikërisht akuzat e kampit që Rama zgjodhi të citonte. Dhe në Shqipëri, miku më i dukshëm i familjes Soros nuk është ndonjë student, por vetë kryeministri. Në prill të këtij viti, Alex Soros publikoi foton e një takimi kokë më kokë me Ramën në Barcelonë, me mbishkrimin “progresistët në Barcelonë”. Në gusht, sipas mediave, Rama e priti në rezidencën qeveritare në Dhërmi. Më herët, Rama dhe bashkëshortja e tij kishin marrë pjesë në dasmën e Alex Soros-it.

Po ta ndjekim logjikën që citon vetë Rama, nëse ANTIFA paguhet nga rrjeti Soros dhe ky rrjet ka një mik në Tiranë, ai mik nuk është i riu me maskë në bulevard. Është njeriu që ulet në tryezë me Sorosët.

III. Kush fiton

Në çdo hetim, pyetja e parë është gjithmonë e njëjta: kujt i leverdis?

Për pesë muaj, protestat paqësore e vunë Ramën në vështirësinë më të madhe të karrierës së tij. Por sapo në bulevard u shfaqën gurët, zjarret dhe vitrinat e thyera, kryeministri mori pikërisht atë që i mungonte. Tani kishte një arsye për ta paraqitur protestën si dhunë, studentët si “terroristë” dhe kërkesat e tyre si të pavlera. Menjëherë pas kësaj, ai paralajmëroi teknologji për identifikimin e personave me maska dhe ndalimin e hyrjes në Bashkimin Europian për protestuesit e dhunshëm.

Studentët nuk kanë fituar asgjë nga dhuna. Ajo u ka zbehur mbështetjen e opinionit publik dhe u ka sjellë policinë mbi kokë. Nga ana politike, përfitimi i ka shkuar vetëm qeverisë. Kjo nuk provon se pas dhunës qëndron qeveria. Por pyetja i drejtohet atij që e solli ANTIFA-n në debatin shqiptar: nëse ekziston një grup që, me veprimet e veta, po i shërben Ramës, kush është ai?

Përfundim

Rama ka ngritur një akuzë që, po ta marrësh seriozisht, kthehet kundër tij. Antifashizmi në Shqipëri është trashëgimi e partisë së tij. Rrjeti që akuzohet nga kampi i Trump-it e ka mikun e vet në Kryeministri dhe jo në universitet. Dhuna që ai ia ngarkon ANTIFA-s i ka shërbyer politikisht vetëm atij.

Mbeten, pra, vetëm dy përfundime. Ose ANTIFA në Shqipëri nuk ekziston, dhe Rama po gënjen për studentët. Ose, nëse ekziston, ajo ndodhet brenda rrethit të tij dhe po i shërben atij. Në të dyja rastet, të rinjtë që dalin çdo natë në bulevard nuk kanë asgjë të përbashkët me të.

Saktësia ka rëndësi

Gjetët një pasaktësi në këtë artikull, apo jeni përmendur në të dhe doni të përgjigjeni? Na shkruani. Çdo korrigjim publikohet hapur, me datë, dhe çdo palë e përmendur ka të drejtë përgjigjeje.

Shpërndaje:
Denoncime qytetare

Keni dijeni për korrupsion apo abuzim me detyrën?

Na tregoni në mënyrë të sigurt dhe anonime. Çdo denoncim verifikohet nga redaksia para publikimit.

  1. DërgoniPlotësoni formularin dhe bashkëngjitni dokumente. Kontakti është opsional.
  2. VerifikojmëRedaksia kontrollon faktet, dokumentet dhe kërkon përgjigjen e palëve.
  3. PublikojmëDenoncimet e konfirmuara publikohen me statusin e verifikimit.
  • Identiteti juaj nuk zbulohet kurrë
  • Lidhje e koduar (HTTPS)
  • Pa reklama, pa ndjekje
Denonco tani →